Martyn McGeown
(Disa citime janë nga Përkthimi i Botës së Re të Dëshmitarëve të Jehovait [PBR])
- Te Gjoni 20:28, Thomai e quan Jezusin (në greqisht) ho kurios moi kai ho theos moi. Kjo përkthehet si “Zoti im dhe Perëndia im.” Pse Jezusi te Gjoni 20:29 e aprovon Thomain në arritjen e këtij të kuptuari (“ti ke besuar”)? Nëse Jezusi vërtet nuk ishte Zoti dhe Perëndia i Thomait, pse Jezusi nuk e korrigjoi atë që bëri ose një hamendësim të gabuar, ose një pohim blasfemues?
- Jehovai thotë te Isaia 44:24, “Unë jam ZOTI që kam bërë tërë gjërat, që i vetëm, kam shpalosur qiejtë dhe kam shtrirë tokën” Si e pajton këtë me mësimin e Kullës së Rojes që Jehovai së pari krijoi Krishtin dhe pastaj Krishti krijoi gjithçka tjetër?
- Nëse titulli i Zotit Jezus si “i parëlindur” te Kolosianët 1, i referohet “të parit të krijuar” dhe nuk është një term epërsie, siç mëson Kulla e Rojes, si e shpjegon Jeremian 31:9 ku Perëndia shpall se Efraimi është i parëlinduri i Tij? Nga Shkrimi (Zanafilla 41:51-52) është e qartë se Manasi ishte i parëlinduri në kohë, jo Efraimi. A nuk është Jezusi, si Krijues, suprem mbi krijimin e Tij dhe jo i pari i krijuar nga Jehovai?
- Nëse vetëm Perëndia është Ai që mund të shpëtojë dhe se nuk ka shpëtimtar tjetër përveç Perëndisë (Isaia 43:11), atëhere a nuk do të thotë kjo se referencat e Dhiatës së Re për Jezusin si Shpëtimtar drejtojnë te hyjnia e tij? Nëse jo, atëherë si e pajtoni rolin e Jezusit si Shpëtimtar me Isaian 43:11 dhe Osean 13:4?
- Nëse Jezusi e vendosi veten në një nivel të barabartë me Atin si objekti i duhur i besimit të njeriut (siç bëri te Gjoni 14:1), atëherë a nuk do të kishte qënë kjo blasfemi, veç nëse Jezusi vetë është Perëndia dhe Shpëtimtari? Në mënyrë të ngjashme, si mund të jetë vullneti i Atit që “të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin” (Gjoni 5:23), nëse Perëndia thotë te Isaia 48:11 se Ai “nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri.” Gjithashtu, si i shpjegoni fjalët e Jezusit te Gjoni 17:5 nën dritën e konsideratave të mësipërme?
- Si e pajtoni deklaratën e Jehovait te Ligji i Ripërtërirë 32:39 që “nuk ka Perëndi tjetër përbri” Të, si dhe deklaratën te Isaia 45:5 që “jashtë meje nuk ka Perëndi”, me mësimin e Kullës së Rojes që Jehovai është Perëndi dhe Jezusi është një perëndi përveç Tij? (Shih Gjoni 1:1 te ‘Përkthimi i Botës së Re’.)
- Te Luka 20:38 ne lexojmë se Jehovai “nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.” Fjala greke theos (“Perëndi”) përdoret pa përcaktuesin ho (“i”). Meqënëse hyjnia e Jehovait nuk zvogëlohet nga ky ndërtim në greqisht te Luka 20:38, pse Kulla e Rojes kërkon të zvogëlojë hyjninë e Krishtit te Gjoni 1:1 që përdor të njëjtën ndërtim në greqisht?
- Nëse Jezusi është thjesht “një perëndi” sipas versionit të ‘Përkthimit të Botës së Re’ të Gjonit 1:1, a është ai një Perëndi i vërtetë apo një perëndi i rremë?
- Meqënëse të gjitha thëniet “Unë jam” të Krishtit te Ungjilli sipas Gjonit (“Unë jam buka e jetës;” “Unë jam bari i mirë,” etj.) janë qartësisht të synuara për t’u lidhur me njëra-tjetrën, pse ‘Përkthimi i Botës së Re’ e përkthen saktë ego eimi si “Unë jam” në të gjithë Ungjillin e Gjonit përveçëse te Gjoni 8:58 ku ego eimi e përkthen si “kam qenë?” Pse judenjtë donin ta gjuanin me gurë Krishtin te Gjoni 8 nëse gjithçka që tha ishte “Para se Abrahami të ishte, kam qenë,” dhe nuk përdori Emrin Hyjnor nga Eksodi 3:14 “Unë JAM”?
- Meqënëse Jehovai quhet “Perëndi i fuqishëm” te Isaia 10:21, ashtu siç Jezusi quhet “Perëndi i fuqishëm” te Isaia 9:6, a nuk do të thotë kjo se Kulla e Rojes është gabim kur pretendon se “Perëndi i fuqishëm” i referohet një hyjnie më të vogël (shih Jeremian 32:18)?
- Meqënëse Jezusi është “i njëjti dje, sot dhe përjetë” (Heb. 13:8), si mund të pretendojnë Dëshmitarët e Jehovait se Jezusi ishte një engjëll, i cili u bë njeri dhe pastaj u bë përsëri engjëll?
- Meqënëse Mikaeli kryeengjëlli nuk mundi ta qortonte djallin me autoritetin e tij (Juda 9) dhe Jezusi mundi dhe e bëri (Mat. 4:10), a nuk e vërteton kjo se Jezusi nuk mund të jetë Mikael kryeengjëlli?
- Jezusi tha te Luka 24:39 se ai nuk ishte një frymë dhe e provoi këtë me faktin se kishte një trup me mish dhe kocka. Si përputhet kjo me mësimin e Kullës së Rojes që Jezusi u ringjall si një krijesë shpirtërore pa trup fizik?
- Meqënëse Jezusi shpall se do të ngrejë “këtë tempull” (Gjoni 2:19) dhe me “këtë tempull” ai nënkupton trupin e tij, siç mëson Gjoni 2:21 (“ai fliste për tempullin e trupit të tij”), a nuk është Jezusi duke mësuar ringjalljen e tij trupore në këtë pasazh?
- Si mund Jehovai të jetë “Zot i zotërve” (Ps. 136:3; Ligji i Ripërtërirë 10:17) dhe ta ndajë këtë titull me Jezusin te Zbulesa 17:14?
- Si mund Jehovai të jetë “i pari dhe i fundit” (Isa. 44:6) ndërsa Jezusi e ka këtë titull te Zbulesa 1:17?
- Si mund Jehovai të jetë Ai, përpara të cilit çdo gju do të përkulet (Isa. 45:22-23) dhe Jezusi gjithashtu të ketë këtë nderim (Filipianët 2:10-11)?
- Nëse te Isaia 40:3 përgatitet një rrugë për “Jehovain,” pse Marku 1:1-3 e aplikon këtë për Jezu Krishtin? A nuk ishte Gjoni Pagëzori duke përgatitur rrugën për Jezu Krishtin? Atëhere si mund t’i shpëtojmë përfundimit se Jezusi është Jehovai?
- Te Zbulesa 22:12-13, Ai që po vjen është qartë Zoti Jezus, i cili këtu quhet “Alfa dhe Omega.” Atëhere, si mund t’i shpëtojmë përfundimit se Zbulesa 1:8 gjithashtu i referohet Jezu Krishtit (“Alfa dhe Omega”) dhe e quan atë “I Plotfuqishmi,” duke mësuar kështu se Jezusi vetë është Zoti i Plotfuqishëm?
- Nëse te 1 Korintasve 8:6 ka “një Zot,” domethënë Jezu Krishti, a do të thotë kjo se Perëndia At, nuk është Zot? Atëhere, si mund Kulla e Rojes të pretendojë se titulli i Atit “një Perëndi” e përjashton Jezusin nga të qenit Perëndi?
- Nëse emri i Jehovait është emri i vetëm për shpëtim (Isa. 43:11), atëhere pse Veprat 4:12 thonë për Jezu Krishtin: “Në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi’?” A nuk është e vërtetë se Jezusi është shpëtimi i Jehovait, “Perëndia me ne” (Mat. 1:23) si Shpëtimtari ynë?
- Në ‘Përkthimin e Botës së Re’, çdo herë që përdoret fjala greke proskuneo në referencë për Perëndinë, është përkthyer “adhurim” (p.sh., Zbulesa 5:14; 7:11; 11:16; 19:4; Gjoni 4:20 etj.). Megjithatë, çdo herë që proskuneo përdoret në referencë për Jezu Krishtin, përkthehet si “nderime” (Mat. 14:33; 28:9, 17; Luka 24:52; Heb. 1:6 etj.) edhe pse është e njëjta fjalë në greqisht. Cila është arsyeja për këtë mospërputhje?
- Kolosianët 1:16, duke folur për Jezusin, mëson se “të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.” Kulla e Rojes pretendon se Jezusi ishte Mikael kryeengjëlli në kohën e krijimit. A do të krijonte një engjëll të gjitha gjërat për veten e tij? Si e shpjegoni këtë, meqënëse te Zbulesa 4:11 për Perëndinë e Plotfuqishëm thuhet se krijoi të gjitha gjërat për kënaqësinë e Tij?
- Nëse të vdekurit e drejtë nuk kanë vetëdije, si mund Zbulesa 14:13 t’i përshkruajë ata si “të bekuar” dhe duke shijuar “pushim?” Po njësoj, si mund të vdekurit e ligj të kenë “asnjë pushim ditë e natë” “përjetë” (Zbulesa 14:11), nëse ata janë shkatërruar dhe nuk ekzistojnë më?
- Nëse Fryma e Shenjtë është forca aktive jopersonale e Perëndisë, si mund të gënjehet Ai dhe të quhet Perëndi te Veprat 5:3-4? Si mund një forcë jopersonale të blasfemohet (Mat. 12:31)? Si mund një forcë jopersonale të trishtohet (Efesianët 4:30)? Si mund një forcë jopersonale të ketë një vullnet (1 Korintasve 12:11)? Si mund një forcë jopersonale të ketë një mendje, duke qenë se Ai “kërkon” (e njëjta fjalë përdoret te Gjoni 5:39) gjërat e thella të Perëndisë dhe e di mendjen e Perëndisë (1 Korintasve 2:10-11)? Si mund një forcë jopersonale të mësojë (Gjoni 14:26), të urdhërojë (Veprat 8:29; 13:2) dhe të ndërmjetësojë ose të lutet (Romakëve 8:26)?
- Bibla përdor gjëra jopersonale për të përshkruar Frymën e Shenjtë si uji dhe zjarri. Kulla e Rojes argumenton nga kjo se Ai nuk është një person. Por a mund të themi për Perëndinë që quhet “një zjarr që konsumon” (Hebrenjve 12:29), një gjë jopersonale?
- Meqënëse Efesianëve 2:8-9 mëson se shpëtimi është nëpërmjet hirit përmes besimit, besim i cili nuk është nga vetvetja, por është dhurata e Perëndisë (shih Titin 3:5; Romakëve 3:20; Galatasve 2:16), pse Kulla e Rojes mëson shpëtimin nëpërmjet veprave?
- Pali thotë, “mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht,” (Galatasve 6:14). Në çfarë mburresh? A mund të bësh vërtet rrëfimin e Palit dhe ende të mbash doktrinën e shpëtimit të Dëshmitarëve të Jehovait?
“Hej, sapo pata disa Dëshmitarë të Jehovait që erdhën në derën time…. fatmirësisht kisha një kopje të të gjitha këtyre pyetjeve për Dëshmitarët e Jehovait që i printova nga faqja e internetit të CPRC! … Ata do të kenë patjetër diçka për të menduar.” – Angli