Rev. Garry Eriks
Ndoshta disa prej jush, vajza të reja, po prisni me padurim momentin kur një djalë i ri do t’ju shikojë në sy dhe me përzemërsi do të shpallë dashurinë e tij për ju. Ndoshta disa prej jush, djem të rinj, mezi prisni ta bëni këtë shpallje dhe të dëgjoni përgjigjen e përshpëritur: “Edhe unë të dua.” Ndihet mirë të dëgjosh: “Të dua.” Disa prej jush mund ta kenë përjetuar këtë tashmë në një marrëdhënie takimesh.
Por çfarë do të thonë këto fjalë? Kur ua kam bërë këtë pyetje të rinjve, çifteve të fejuara, madje edhe disa çifteve të martuara, shumë prej tyre kanë pasur vështirësi të përgjigjen. Disa madje kanë thënë se dashuria është e pashpjegueshme, por një ditë ata do ta kuptojnë më mirë. Ka pak të vërtetë këtu. Ne të gjithë rritemi në të kuptuarin tonë të dashurisë. Por nëse një çift nuk e kupton dashurinë e vërtetë biblike gjatë takimeve të njohjes, ai nuk do të ketë një “zbulim magjik” të saj vetëm sepse martohet. Madje ata mund të detyrohen ta mësojnë çfarë është dashuria e vërtetë brenda një martese të vështirë, sepse ata e injoruan të kuptuarin e saj gjatë takimeve. Dashuria duhet të kuptohet përpara takimeve dhe martesës. Po sikur një djalë i ri t’i pëshpërisë dashurinë një vajze në rrugën përpara shtëpisë së saj, dhe ajo që në të vërtetë ai po thotë është: “Unë kam epsh për ty”? Atëherë marrëdhënia do të përqendrohet tek aspekti fizik.
Po sikur një vajzë e re sheh në sytë e një djali të ri dhe thotë: “Po bie në dashuri me ty”, por gjithcka që ajo nënkupton është thjesht se kjo marrëdhënie e bën atë të ndihet mirë sepse i riu është treguar shumë romantik dhe i sjellshëm? Çfarë ndodh kur i riu nuk është më aq romantik dhe i sjellshëm? Ti ke një “dashuri” të bazuar në ndjenja që mund të ndryshojnë drejtim si era. Marrëdhënie të tilla shpërbëhen sepse aty nuk kishte një kuptim të vërtetë të dashurisë. Përpara se të rinjtë të nisin takimet dhe të martohen, ata duhet të kenë një të kuptuar bazik të dashurisë biblike, që përlëvdon Perëndinë. Një përkufizim dhe e kuptuar biblike e dashurisë është jetike në një marrëdhënie takimesh që ka si qëllim të vetëm lavdinë e Perëndisë me syrin drejt martesës.
Në gjuhën greke ne mund të identifikojmë tri fjalë për dashurinë. Fjala e parë është “eros”, nga e cila rrjedh fjala jonë shqipe “erotike”. Unë po e nis me këtë fjalë sepse një mënyrë se si bota e përkufizon dashurinë është epshi seksual. Ndonjëherë, kur një burrë i thotë një gruaje se e do, ajo që ai vërtet nënkupton është: “Kam epsh për ty”. Duke u dorëzuar para hormoneve të tij të tërbuara, ai ka vetëm një gjë në mendje. Kjo lloj “dashurie” përshkruhet te 1 Thesalonikasve 4:5 si “pasioni i epshit”, i cili karakterizon ata që nuk e njohin Perëndinë. Në kulturën tonë të çmendur pas seksit, shumë njerëz e përkufizojnë dashurinë përmes këtij epshi për afërsi fizike. Brenda martesës, afërsia fizike është një mënyrë se si burri dhe gruaja i tregojnë dashuri njëri-tjetrit, por kjo nuk është zanafilla apo ideja kryesore e dashurisë.
Fjala e dytë në gjuhën greke që duhet të identifikojmë është “fileo”, që do të thotë “dashuri vëllazërore”. Kjo fjalë identifikon ndjenjat dhe emocionet që janë pjesë e dashurisë. Në botën e sotme, ndjenjat sundojnë. Ndjenjat e dashurisë janë emocionet e fuqishme që dikush ka për një person tjetër; ndjenja që ngjasojnë me rrymën e shpejtë dhe të tërbuar të lumit Kolorado në pranverë, që mbart me shpejtësi varkat e rafting-ut. Të tilla mund të jenë ndjenjat e një vajze të re për një djalë të ri që i hap derën, e dëgjon dhe i blen gjëra të bukura.
Fjala e tretë për dashurinë që duhet të kuptojmë është “agape”. Kjo është fjala më e fortë për dashurinë në Shkrimet e Shenjta dhe e vetmja fjalë e përdorur për dashurinë e Perëndisë.
Përpara se të përkufizojmë dashurinë e vërtetë biblike, ashtu siç zbulohet në faqet e Shkrimeve, kuptoni pse i prezantova këto fjalë në këtë renditje. Kjo nuk është renditja e Shkrimit. Kjo është renditja e botës. Dashuria në takimet mes të rinjve dhe në martesë shihet fillimisht si epsh dhe tërheqje e bazuar në faktin se sa “i nxehtë” (tërheqës) është tjetri. Në botë, takimet shihen si një mënyrë që një djalë dhe një vajzë të lidhen seksualisht. Nëse kjo funksionon, ndjenjat që kanë për njëri-tjetrin do të rriten. Hapi i fundit është një marrëdhënie më intime që mund të çojë në martesë.
Satani e shndërron një dëshirë të mirë që ne e kemi të gjithë, dëshirën për seks, në gjënë më të rëndësishme. Ky është mentaliteti i botës në të cilën jetojmë. Ky mendim i prapambetur dhe i marrë i kësaj bote duhet të ekspozohet, në mënyrë që ne të mos mendojmë për dashurinë në këtë formë. Rruga e një djali dhe një vajze të re nuk duhet të jetë që ata të kenë një tërheqje fizike, të veprojnë mbi të duke dalë bashkë për të parë nëse kanë ndjenja për njëri-tjetrin, gjë që më pas çon në martesë. Kjo nuk është mënyra se si kisha duhet t’i shohë takimet mes të rinjve. Gjëja më e keqe që një çift mund të bëjë është t’i vërë këto epshe që ata kanë në plan të parë. Jini të përkushtuar për të mos pasur seks në marrëdhëniet tuaja përpara martesës!
Dashuria biblike e përmbys këtë pikëpamje të botës. Çfarë është dashuria? Përpara se të lexoni më tej, i kushtoni pak kohë leximit të Gjonit 3:16, Gjonit 15:13, Filipianëve 2:5-8 dhe 1 Gjonit 4:8-10 dhe formuloni një përkufizim biblik të dashurisë. Përkufizimi i dashurisë nuk është aq i vështirë sa ne mendojmë, sepse Bibla e bën këtë për ne.
Dashuria është një veprimtari e vetëflijimit që kërkon të mirën e tjetrit, edhe pse personi që po duhet nuk e meriton atë. Kjo dashuri është një vendim, një angazhim, dhe një veprim.
Vetëm ata që njohin Perëndinë mund të duan në këtë mënyrë. Kjo dashuri e ka zanafillën te Perëndia, sepse Perëndia është dashuri (1 Gjoni 4:8-10). Kjo dashuri është pjesë e qenies së Perëndisë. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë e duan njëri-tjetrin me këtë dashuri. Brenda qenies së Perëndisë, dashuria është një lidhje intime, e gjallë dhe e përsosmërisë (Kolosianëve 3:14). Të tre Personat e Trinisë së Shenjtë jetojnë në një bashkim më intim dhe më të ngushtë se ai i një burri dhe një gruaje. Duke u shtrirë nga e gjithë përjetësia në të gjithë përjetësinë, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë e duan njëri-tjetrin pa mosmarrëveshje, grindje apo konflikt. Ata e duan njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur!
Perëndia e tregon në mënyrë aktive këtë dashuri të pastër ndaj popullit të Tij në Jezu Krishtin. Mbani mend se dashuria është një vendim, angazhim dhe një veprimtari. Që nga përjetësia, Perëndia vendosi të dojë një popull të pamerituar për dashurinë e Tij. Ai është i përkushtuar ndaj popullit të Tij, duke u premtuar atyre se dashuria e Tij nuk do të zbehet apo ndryshojë kurrë (Romakëve 8:31-39). Imagjinojeni! Perëndia kurrë nuk ndalon së dashuri ndaj nesh. Veprimi i dashurisë së Perëndisë është shpëtimi ynë nga mëkatet tona në Jezu Krishtin. Ai dha Birin e Tij të vetëmlindur për të na shpëtuar. Kjo dhënie është veprimtaria supreme e dashurisë, përmes së cilës Perëndia kërkon të mirën tonë duke na bekuar me të gjitha bekimet e shpëtimit në Jezu Krishtin. Nuk është çudi që ne këndojmë për dashurinë e mahnitshme të Perëndisë! Sa e mrekullueshme dhe mahnitëse është dashuria e Tij! Një dashuri përtej çdo mase! Ju nuk mund ta masni dashurinë e Perëndisë me centimetra, metra apo kilometra; me litra, me gramë, kilogramë apo tonelata. E kuptoni mesazhin.
Ne jemi të thirrur ta vëmë këtë dashuri në veprim në martesë. Brenda martesës, është themelore që burri dhe gruaja të duan Perëndinë të parin. Një martesë nuk do të jetë e bekuar nëse burri dhe gruaja nuk e duan Perëndinë me gjithë zemër, mendje, shpirt dhe forcë. Kjo na mëson se dashuria është çështje adhurimi. Burri dhe gruaja e krishterë e duan Perëndinë duke iu bindur urdhërimeve të Tij. Konkretisht, ata e duan Perëndinë duke dashur bashkëshortin/en që Perëndia u jep me këtë dashuri sakrifikuese dhe të pakushtëzuar. Dashuria në martesë nuk ka të bëjë në radhë të parë me seksin. Ajo nuk është në radhë të parë një ndjenjë, ndonëse burri dhe gruaja duhet të kenë ndjenja dashurie për njëri-tjetrin. Dashuria është një vendim, angazhim dhe veprim edhe atëherë kur personi tjetër nuk e meriton. Në martesë, dashuria është një vendim i vetëdijshëm dhe i qëllimshëm për të dashur bashkëshortin që Perëndia ka dhënë. Në martesë, dashuria është një angazhim jetësor në të cilin burri dhe gruaja premtojnë para Perëndisë, familjes dhe miqve se do ta duan njëri-tjetrin. Kjo dashuri duhet të vihet në veprim, duke kërkuar të mirën e personit tjetër edhe kur ai nuk e meriton. Një grua jeton për burrin e saj. Një burrë jep jetën për gruan e tij. Do të kemi më shumë për të thënë rreth kësaj në artikullin e ardhshëm.
Ajo që na intereson është se çfarë do të thotë kjo për takimet e njohjes. Kur një i ri dhe një e re e krishterë njohin dashurinë e Perëndisë për ta, Perëndia do të jetë i pari në zemrat e tyre. Për shkak se ne jemi të shpëtuar nga dashuria e Perëndisë në Jezu Krishtin, ne jemi ndjekës të Krishtit që i binden Fjalës së Tij. Kjo do të thotë se dëshirat për seks, romancë dhe përmbushje në një marrëdhënie nuk do të sundojnë jetën time.
Bërja e vullnetit të Krishtit duke jetuar në bindje ndaj Tij ka implikime të gjera për takimet e njohjes. Të rinjtë dhe të rejat e krishterë nuk janë të interesuar të dalin me jobesimtarë, pavarësisht se sa të sjellshëm, bujarë apo të bukur mund të jenë ata. Duke qenë të përkushtuar për të dashur dhe nderuar Jezu Krishtin në çdo aspekt të jetës, ata nuk do të kërkojnë miqësi me ata që nuk e duan apo nuk e nderojnë Atë.
Duke qenë se ne e njohim ngushëllimin dhe plotësinë e dashurisë së Perëndisë në Jezu Krishtin, që na çliron nga të gjitha mëkatet tona dhe na fut në një marrëdhënie dashurie dhe miqësie me Perëndinë përgjithmonë, ne nuk do të dalim me dikë për veten tonë. Ne nuk do të dalim për t’u ndjerë më mirë me veten. Ne nuk do të dalim për t’u ndjerë të plotësuar apo për të mposhtur pasiguritë apo frikën e të qenit vetëm. Kur ne e bëjmë këtë, ne po kërkojmë përmbushje te një person në vend të Perëndisë.
Për shkak se ne e njohim dashurinë e Perëndisë, ne nuk do të dalim për romancë, tërheqje apo epsh. Nëse dalim për këto arsye, ne nuk po dalim për lavdinë e Perëndisë, por për tonën.
Për shkak se ne e njohim dashurinë e Perëndisë, ne do të kërkojmë atë që është më e mira për personin me të cilin po dalim. Ne nuk do të bëjmë presion për të kaluar kufijtë seksualë që Perëndia ka vendosur. Dashuria e vërtetë kontrollohet nga mendja (Filipianëve 1:9, 10). Një vajzë e re nuk do të vishet në mënyrë joshëse për të nxitur një djalë të ri, dhe një djalë i ri nuk do të ushtrojë presion mbi një vajzë të re, duke shpërfillur kufijtë që vendos Perëndia. Përkundrazi, të dy do të dëshirojnë të mësojnë të shërbejnë ndërkohë që njihen me personin tjetër.
Një marrëdhënie takimesh që formësohet nga dashuria e Perëndisë do të jetë një marrëdhënie në të cilën një djalë i ri dhe një vajzë e re përpiqen të njohin tjetrin për të përcaktuar nëse ky është personi që Perëndia dëshiron që unë ta dua për pjesën tjetër të jetës sime brenda lidhjes së martesës. Në këtë lloj marrëdhënieje, i riu dhe e reja shqetësohen për të mësuar se çfarë do të thotë të sakrifikosh dhe të shërbesh për të mirën e njëri-tjetrit. Takimet nuk duhet të jenë një përpjekje për ta bërë veten të dukemi si diçka që nuk jemi. Këtë mund të bëjë një shitës makinash me një makinë të vjetër e të shkatërruar. Ai e lan dhe e lyen me dyll, duke u përpjekur të mbulojë të gjitha defektet për ta shitur. Takimet nuk kanë të bëjnë me këtë. Përkundrazi, ato kanë të bëjnë me lënien e personit tjetër të njohë se si jam unë në të vërtetë për të zbuluar nëse ata mund të vazhdojnë të më duan në martesë.
Dhe tani, le të kthehemi te domethënia e fjalëve “Të dua”. Çfarë mendoni për vendin e kësaj shprehjeje në një marrëdhënie takimesh? A merr ajo një kuptim dhe seriozitet të ri tani? Të thuash këtë është një angazhim. A jeni gati për këtë angazhim?
Mendoni për këtë nga kjo perspektivë. Po dilni me dikë që ende nuk e dini nëse do të martoheni. Ndoshta një ditë ndaheni dhe dilni me dikë tjetër me të cilin martoheni. Ai/ajo me të cilin keni dalë më parë, gjithashtu del me dikë tjetër dhe martohet. Ndoshta ato martesa ju sjellin në të njëjtën kishë. Si do të ndiheshit po të uleshit në të njëjtën rresht me një burrë apo grua tjetër të cilit i keni thënë “Të dua”? Siç thoni edhe ju: “E sikletshme!” Po, ashtu është. Dashuria e vërtetë është e bukur dhe e përlëvdon Perëndinë. Le ta formësojë kjo dashuri e Perëndisë mënyrën tonë të takimeve, në mënyrë që të përlëvdojmë Perëndinë ndërsa kërkojmë bashkëshortin/en me të cilin një ditë do të martohemi, sipas vullnetit të Perëndisë.

