Ronald Cammenga
Problemi i të qënit vetëm mund të jetë një problem serioz. Por ai është shumë ndryshe nga problemi i të qënit i vetmuar. Psikologët na thonë se vetmia është një problem serioz dhe në rritje. Një nga pasojat e shoqërisë sonë moderne, mekanike dhe teknologjike është vetmia. Një nga pasojat më serioze të shpërbërjes së martesës dhe jetës familjare në ditët tona është vetmia. Vetmia është më e keqe se sëmundja fizike. Njerëzit që janë të vetmuar thonë se do të preferonin të përballeshin me çdo problem tjetër, madje edhe vdekjen, sesa me problemin e vetmisë.
Ti mund të jesh i vetmuar. Ndoshta ti je i vetmuar sepse ke humbur një burrë ose një grua, një prind ose një fëmijë, ose një mik të dashur në vdekje. Ndoshta ti je i vetmuar sepse je i ndarë në martesë, ose i divorcuar. Ndoshta ti je i vetmuar sepse nuk ke një mik të ngushtë me të cilin mund të flasësh dhe t’i besosh. Ose ndoshta ti je i vetmuar sepse miqtë që ke pasur dhe në të cilët ke besuar të janë kthyer kundër teje. Ndoshta si i ri të është dashur të qëndrosh për bindjet e tua, dhe kjo të ka larguar nga bashkëmoshatarët, duke të lënë me një ndjenjë vetmie. Ndoshta vetmia jote të bën të qash në orët e errëta të natës. Ndoshta vetmia jote të ka bërë madje që të mendosh për vetëvrasje.
Te Gjoni 16:32, Jezusi merret me problemin e vetmisë. Ai u thotë dishepujve të Tij: “Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.” Jezusi do të lihej vetëm. Dishepujt e Tij do të shpërndaheshin. Por prapësëprapë, Jezusi mëson këtu se Ai nuk do të ishte vetëm, sepse Ati, do të ishte me Të.
Hera e parë që fjala “vetëm” përdoret nga Jezusi te Gjoni 16:32 përdoret në një sens fizik ose gjeografik. “Do të më lini vetëm,” thotë Jezusi. Kjo është lloji i vetmisë që vjen kur të gjithë rreth teje janë larguar. Është një lloj vetmie që shkaktohet nga izolimi fizik. Është një gjë të jesh vetëm. Është një gjë tjetër të jesh vetëm sepse i dashuri yt ka vdekur, ose sepse miqtë të kanë lënë, ose sepse je në një vend të panjohur ku nuk ka asnjë rreth teje që njeh ose me të cilin mund të flasësh. Kjo është një gjë.
Por herën e dytë që Jezusi përdor fjalën “vetëm” këtu, diçka tjetër del në pah. Ai thotë: “Unë jam vetëm, POR nuk jam vetëm. Megjithëse në një sens të fjalës, unë jam vetëm, në një sens tjetër më të rëndësishëm të fjalës, unë nuk do të jem vetëm.” Dishepujt do ta lënë fizikisht vetëm Jezusin, dhe Ai do të rrethohet nga njerëz që janë armiqtë e Tij. Por Ai nuk do të jetë i vetmuar. I vetëm, por jo i vetmuar. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Edhe në orën e tradhëtisë, kur të gjithë kthehen kundër Tij dhe gjithçka largohet nga Ai, edhe kur Ai është lënë vetëm, Ai nuk do të jetë i vetmuar. Ai nuk do të jetë i vetmuar në Kopshtin e Gjetsemanisë. Ai nuk do të jetë i vetmuar në sallën e gjyqit të Pilatit. Ai nuk do të jetë i vetmuar kur të jetë viktimë e kapësve të Tij. Ai nuk do të jetë i vetmuar teksa mbart kryqin mbi shpinën e Tij të gjakosur për në Kalvar. Ai nuk do të jetë i vetmuar kur të varet atje në atë kryq. Pse? “Sepse Ati është me mua.”
Ka të paktën katër shkaktarë të ndryshëm të vetmisë. E para, ka vetmi e shkaktuar nga braktisja. Jezusi u la vetëm sepse dishepujt e braktisën Atë. Mateu 26:56 na tregon: “Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.” Kjo ishte gjithashtu përvoja e apostullit Pali. Ai shkruan te 2 Timoteu 1:15: “Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni.” Te 2 Timoteu 4:10, apostulli thotë se “sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë.” Të gjithë ne e kemi përjetuar braktisjen e miqve dhe të familjes. Ne e dimë nga përvoja këtë lloj vetmie.
Shkaktari i dytë i vetmisë është ndarja e nevojshme. Ndoshta kjo është ndarja nga të dashurit sepse bëhet e nevojshme të zhvendosesh në një pjesë tjetër të vendit ose të botës. Mësuesit e shkollave të krishtera, predikuesit dhe misionarët shpesh e përjetojnë këtë. Ose ndoshta është ndarja e një djaloshi nga familja e tij sepse ai duhet të shkojë diku për të luftuar për vendin e tij. Ose ndoshta ndarja është ndarja përfundimtare midis të dashurve e shkaktuar nga vdekja. Mendo një herë, për vetminë e Jozefit, i shitur si skllav në Egjipt, i ndarë nga shtëpia dhe familja e tij. Mendo për vetminë e vejushës dhe të veut, ose të prindërve që humbin një fëmijë.
Shkaktari i tretë i vetmisë është opozita. Shpesh ndjenja më e fortë e izolimit përjetohet kur njeriu rrethohet nga armiqtë. Atëherë ne jemi shumë të vetmuar. Kjo ishte ndjenja e vetmisë që ndjeu Elia. Ai tha te 1 Mbretërit 19:10: “Më nxiti një zili e madhe për Zotin, Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata kërkojnë të më vrasin.” Kjo ishte vetmia që ndjeu edhe Jobi, dhe që ai e shpreh te Jobi 19:13-19. Atje ai flet për ndjenjën e shkëputjes nga vëllezërit e tij, i harruar nga miqtë e tij më të njohur; një i huaj për anëtarët e shtëpisë së tij, aq sa fryma e tij ishte e çuditshme edhe për gruan e tij, dhe fëmijët dhe shërbëtorët e përbuznin atë.
Një shkak i katërt i vetmisë është keqkuptimi. Për shkak të keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve, ne mund të lihemi vetëm. Miqtë tanë më të mirë na keqkuptojnë, dyshojnë për sinqeritetin e motiveve tona, veprimeve tona, ose fjalëve tona, dhe kështu kthehen kundër nesh dhe na tradhtojnë. Ata thjesht na kanë kuptuar gabim, ose qëllimisht i kanë shtrëmbëruar gjërat. Jam i sigurt se të gjithë ne e kemi përjetuar këtë.
Megjithëse fëmija i Perëndisë mund të jetë vetëm, ai kurrë nuk do të jetë i vetmuar: “… dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.” Ne nuk duhet të jemi të vetmuar sepse, në kuptimin më të thellë të fjalës, ne nuk jemi vetëm; Ati është me ne! Më shumë se çdo marrëdhënie tjetër, Jezusi e kishte vëmendjen e Tij të përqendruar në marrëdhënien e Tij me Atin. Ai ishte vazhdimisht në prani të Atit të Tij, dhe prandaj Ai kurrë nuk ishte vërtet vetëm.
Psalmisti na ofron këtë bindje te Psalmi 139. Ky psalm lavdëron gjithëpraninë e Perëndisë. Psalmisti kuptoi se, pavarësisht se në çfarë vendi në botë do të shkonte ai, pavarësisht se si mund të izolohej nga çdo qenie njerëzore, prapësëprapë ai nuk do të ishte vetëm. Perëndia do të ishte atje.
Kjo është padyshim dëshmia e të gjithë Shkrimeve. Fjala e Perëndisë te Hebrenjve 13:5 është: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.” Te 2 Korintasve 4:9 apostulli Pali flet për të qenit “… të përndjekur, por jo të braktisur.” Psalmisti shpreh bindjen e tij te Psalmi 27:10 se “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.” Dhe ne kemi premtimin e madh të vetë Krishtit te Mateu 28:20, në kohën e ngjitjes së Tij në qiell: “Duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.” Krishti është me ne, me ne gjithmonë, me ne edhe deri në fund të botës. Privilegji i madh i të krishterit është se, megjithëse mund të mbetemi plotësisht të vetëm, ne nuk jemi të vetmuar. Krishti vetë është gjithmonë aty. Megjithëse jemi vetëm, vetmia zhduket nga një Perëndi që është gjithmonë prezent dhe Biri i Tij, Jezu Krisht.
Si besimtarë, ne duhet të tregojmë një interes të veçantë për ata anëtarë të kishës që janë vetëm dhe përballen me vetminë. Ne duhet t’u shkruajmë atyre ose t’u dërgojmë një letër, ne duhet të ndalojmë dhe t’i vizitojmë, ose t’i ftojmë për një vakt dhe për bashkësi. Jakobi thotë te Jakobi 1:27: “Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.” Pjesë e “pikëllimet” e vejushave dhe jetimëve është pikëllimi i vetmisë. Ne duhet të bëjmë atë që mundemi për të ndihmuar ata në këtë pikëllim.
Por e vërteta është se ti nuk mund të bësh asgjë përfundimtare për personin e vetmuar që do të plotësojë vetminë e tij 24 orë në ditë. Ti mund të lehtësosh vetminë e tij për një kohë të shkurtër por ti nuk mund ta heqësh atë përfundimisht. Vetëm Perëndia mund ta bëjë këtë. Personi i vetmuar duhet të drejtohet te Perëndia dhe te Krishti për zgjidhjen e vetmisë së tij. Zoti thotë te Jeremia 49:11: “Lëri jetimët e tu, unë do t’i ruaj të gjallë në jetë dhe gratë e tua të veja le të kenë besim tek unë.”
Vetëm Perëndia mund të shpërndajë dhe largojë vetminë tonë. Dhe kjo është shpresa jonë. Edhe pse çdo marrëdhënie e rëndësishme në jetë mund të prishet, Zoti është akoma me ne. Ne kemi një Perëndi që do të na kalojë përmes të gjithave, që do të qëndrojë pranë nesh, që do të shpërndajë vetminë tonë. Ne nuk do të jemi vetëm as në fund, kur të përballemi me armikun tonë të fundit, vdekjen: “Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua…” (Psalmi 23:4).
Megjithëse mund të jemi vetëm, ne kurrë nuk do të jemi të vetmuar.