Rev. Garry Eriks
A thotë Bibla ndonjë gjë për takimet e njohjes? Kjo është një pyetje e mirë për të rinjtë që janë duke takuar apo që dëshirojnë të takojnë dikë. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është ajo për të cilën prindërit duhet të bisedojnë me të rinjtë e tyre.
Ka dy përgjigje për këtë pyetje. Përgjigjja e parë është: “Jo.” Nëse kërkoni në aplikacionin e Biblës ose në një konkordancë, ju nuk do të gjeni fjalët “takim”, “i dashur” apo “e dashur”. Pali nuk ka shkruar për atë që duhet bërë në takimin e parë. Ai nuk na tregon sa kohë duhet të zgjasin takimet e njohjes përpara martesës. Takimet romantike është një praktikë relativisht e re që burrat dhe gratë në kulturën tonë përdorin për të gjetur një bashkëshort. Në kultura të tjera dhe në kohë të tjera, bashkëshorti gjendej përmes rregullimeve të prindërve. Abrahami gjeti një grua për Isakun duke dërguar shërbëtorin e tij, i cili u lut që gruaja që do t’i jepte ujë atij dhe deveve të tij të ishte ajo që Perëndia kishte zgjedhur për Isakun. Kjo nuk do të thotë se Perëndia kërkon që ne ta gjejmë bashkëshortin në të njëjtën mënyrë (gjë për të cilën, shumë prej jush, ndoshta janë të lehtësuar ta dëgjojnë).
Por ka edhe një përgjigje të dytë për pyetjen tonë: “A thotë Bibla ndonjë gjë për takimet e njohjes?” Po, thotë. Edhe pse Bibla nuk jep një listë rregullash për takimet, Fjala e Perëndisë jep parime të rëndësishme që zbatohen drejtpërdrejt në to. Bibla e bën të qartë se prindërit duhet të mbikëqyrin takimet e njohjes. Meqenëse martesa duhet të jetë në Zotin, edhe takimet e njohjes duhet të jenë në Zotin.
Ajo që duhet të drejtojë praktikën e takimeve të njohjes më shumë se çdo gjë tjetër është e vërteta e martesës, sepse takimet e njohjes janë për martesë. Nëse do që të takohesh në mënyrën e duhur, ne duhet të dimë se ku po shkojmë. Qëllimi është që të jemi të perëndishëm dhe të dashur në takimet e njohjes, në mënyrë që njëra prej këtyre marrëdhënieve në këto takime të zhvillohet dhe të çojë në një martesë të perëndishme dhe të dashur.
Në këtë artikull dhe në të tjerët që do të pasojnë, ne do të shqyrtojmë se si e vërteta biblike e martesës zbatohet në takimet e njohjes. Për të kuptuar se çfarë është një takim njohje i perëndishëm dhe i shëndetshëm, ne duhet të kuptojmë se çfarë është një martesë e perëndishme dhe e shëndetshme. Kur ne ta kuptojmë se çfarë është një martesë e perëndishme dhe e shëndetshme, atëhere ne do të përpiqemi të vendosim modele dhe themele të perëndishme në një marrëdhënie takimesh për njohje. Nëse ne nuk kemi si qëllim martesën, kjo do të çojë në themele të dobëta dhe modele të paperëndishme.
Fjala e Perëndisë u mëson të rinjve dhe të rejave se kërkimi i një marrëdhënieje që do të çojë në martesë është një gjë e mirë. Për shembull, te Zanafilla 2:18 ne lexojmë se nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Edhe pse shumë prej jush të rinjve nuk jeni ende gati për martesë tani, ju ndoshta e imagjinoni veten të martuar një ditë. Kjo është një dëshirë e mirë për t’u patur. Perëndia i zbuloi Adamit nevojën e tij për një grua duke i sjellë përpara tij kafshët dy nga dy, që ai t’u vinte emra. Adami pa se ishte vetëm, dhe kjo nuk ishte e mirë. Edhe sot, kjo Fjalë e Perëndisë mëson se, zakonisht, nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Kultura jonë jep një mesazh shumë të ndryshëm, veçanërisht për djemtë e rinj, por edhe për vajzat e reja. Bota thotë se nëse martohesh herët, do të humbasësh kënaqësitë e jetës. Por rreziku i vërtetë është që djemtë e rinj dhe vazjat e reja zhvillojnë qëndrime dhe sjellje mëkatare dhe egoiste që e bëjnë martesën të vështirë. Përveç kësaj, ekziston rreziku i dëshirave seksuale ku djemtë dhe vazjat e reja mund të zhyten gjatë kohës që janë beqarë.
Meqenëse takimi i njohjes është për martesë, ne përballemi me këtë pyetje themelore: pse e ka urdhëruar Perëndia martesën? Perëndia e ka vendosur martesën jo për lumturinë tonë personale, por për lavdinë e Tij, ndërsa Ai e përdor martesën për të na mësuar për besëlidhjen e Tij të vendosur me popullin e Tij në Jezu Krishtin. Duke qenë kështu, fokusi i takimeve të njohjes duhet të jetë lavdia e Perëndisë, ndërsa ne kërkojmë një marrëdhënie që pasqyron dhe na mëson më shumë për besëlidhjen e Perëndisë në Jezu Krishtin. Për ju që jeni duke kryer takime njohjeje: a është ky fokusi i zemrës suaj? Për ju që dëshironi të keni takime njohjeje: a doni ta bëni këtë për lavdinë e Perëndisë në Krishtin?
Qëllimi i Perëndisë për martesën nuk është lumturia, përmbushja apo domethënia jonë personale. Të presësh këtë nga martesa është si të presësh që një makinë e vjetër të konsumojë shumë pak karburant në një udhëtim të gjatë. Ajo nuk është krijuar për këtë. Nëse ne presim që martesa të jetë vetëm romancë dhe lumturi, ne do të zhgënjehemi shumë, sepse realiteti është që një mëkatar martohet me një mëkatar. Për shkak se ka mëkat në martesë, do të ketë kohë trishtimi, përpjekjeje, konflikt dhe zhgënjim. Kjo është arsyeja se pse Formulari jonë i Martesës fillon jo në një mënyrë pesimiste, por realiste: “Meqenëse të martuarit, si pasojë e mëkatit, përgjithësisht u nënshtrohen shumë mundimeve dhe pikëllimeve…”
Perëndia e ka caktuar martesën që të jetë një besëlidhje për të na mësuar për besëlidhjen e Tij me ne në Jezu Krishtin. Ne e dimë këtë nga shumë pjesë të Shkrimit që përdorin gjuhën e martesës për të përshkruar marrëdhënien tonë me Perëndinë. Te Osea 2:19,20, Perëndia thotë: “Do të të fejohesh me mua përjetë… në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri. Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin.” Kjo ide e njëjtë gjendet edhe në pasazhin e shquar të Dhiatës së Re mbi martesën (Efesianëve 5). Në vargun 32, Pali thotë: «Ky mister është i madh; por unë e them në lidhje me Krishtin dhe me kishën.» Misteri i zbuluar këtu është se Perëndia e ka caktuar martesën për të na mësuar rreth marrëdhënies sonë me Krishtin.
Martesa është një besëlidhje përmes së cilës ne mësojmë për marrëdhënien më të lartë dhe më të mirë që kemi, në këtë jetë dhe në tjetrën. Kjo nuk është një marrëdhënie me një burrë apo me një grua, por marrëdhënia jonë me Perëndinë. Aq e ngushtë dhe e mrekullueshme sa është martesa, apo aq e ftohtë dhe e vështirë sa mund të jenë disa martesa, ne kemi një marrëdhënie më të mirë, më të afërt dhe më jetëgjatë me Perëndinë. Në këtë marrëdhënie, Perëndia kënaqet me ne dhe na afron pranë Vetes, ndonëse ne mëkatojmë dhe kryejmë kurorëshkelje shpirtërore ndaj Tij. Në këtë marrëdhënie, ne jemi të thirrur të jetojmë për ta përlëvduar dhe për t’i pëlqyer Atij.
Kjo i mëson të rinjtë që t’i qasen takimeve të njohjes dhe martesës nga një perspektivë e qendërzuar tek Perëndia, në vend të një perspektive të qendërzuar tek njeriu. Cili është ndryshimi?
Meqenëse Perëndia nuk e ka caktuar martesën për lumturinë tonë personale, as takimi i njohjes nuk duhet të jetë për këtë. Do të doja ta kisha kuptuar këtë kur isha në shkollë të mesme. Do të kishte ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si i shihja takimet e njohjes. Një perspektivë e qendërzuar te njeriu për takimet e njohjes dhe martesën do ta bëjë dikë që t’i qaset takimit nga këndvështrimi i lumturisë personale. Ky është qëndrimi: “për sa kohë që ky person më bën të lumtur, unë do të jem me të.” Nëse jo, atëherë marrëdhënia duhet të përfundojë. Ndoshta ajo duhet të përfundojë, sepse personi tjetër nuk është i perëndishëm ose është egoist. Por takimet tona të njohjes (dhe martesat tona) duhet të kenë një perspektivë që është shumë më të lartë se lumturia personale.
Sa shumë na ka ndikuar ky theksim i kulturës sonë? Bota thotë: Bëj atë që të duket mirë dhe që të bën të lumtur. Nëse takimi i njohjes të bën të lumtur dhe të duket mirë, atëherë bëje. Takohu për argëtim. Shijoje romancën e një të riu që përpiqet të të fitojë me dhurata, dukje, mirësi dhe që të bën të ndihesh e veçantë. Shijoje lumturinë që kjo sjell. Përqafo, thotë bota, përkëdheljet sensuale, puthjet dhe madje edhe intimitetin seksual në takimet. Por kuptoni se çfarë thotë Bibla për këtë. Nëse ne takohemi për këto arsye, ne nuk po takohemi për lavdinë e Perëndisë, por për atë që ne marrim prej saj. Ne takohemi sepse na bën të ndihemi mirë dhe të lumtur.
Për të ruajtur zemrat tona nga ky lloj takimi që ndihet kaq mirë dhe kaq e drejtë, ne duhet të kuptojmë qëllimin e Perëndisë për martesën. Një perspektivë e qendërzuar te Perëndia për takimet sheh lavdinë e Perëndisë në besëlidhjen e Tij si qëllimin përfundimtar. Qëllimi përfundimtar i çdo gjëje është t’i shërbejë dhe të përlëvdojë Perëndinë. Martesa është për të na ndihmuar të rritemi në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Çfarë do të thotë kjo për takimet e njohjes? Ajo do të thotë se një çift që takohet me qëllimin e lavdisë së Perëndisë kërkon të përgatitet për martesë me të gjithë seriozitetin për atë lidhje të shenjtë. Përmes një marrëdhënieje takimesh, ne duhet të dëshirojmë të kënaqim Perëndinë dhe të rritemi në njohjen tonë për Të. Marrëdhënia duhet të ndihmojë rritjen time në shenjtërim. Kjo është forca shtytëse e një takimi të mirë njohjeje. Nëse marrëdhënia nuk është e përqendruar në këtë, ajo nuk është një marrëdhënie e mirë.
Përmes martesës ne mësojmë për dashurinë e Perëndisë dhe mësojmë ta duam Perëndinë. Perëndia e përdor martesën si një mjet për të na çliruar nga egoizmi ynë. Martesa është një instrument i Perëndisë për shenjtërimin tonë. Perëndia përdor edhe shumë mjete të tjera për shenjtërimin tonë—jetën beqare, miqësitë, Fjalën e Tij dhe lutjen—por Ai gjithashtu përdor edhe martesën. Nevoja jonë më e madhe është të çlirohemi nga egoizmi ynë. Ai na bashkon me një bashkëshort që është i ndryshëm nga ne dhe që do të mëkatojë kundër nesh. Ndërsa luftojmë për të dashur për shkak të mëkatit tonë dhe të mëkatit të bashkëshortit që Perëndia na ka dhënë, ne mësojmë për mrekullinë e dashurisë së përsosur të Perëndisë për mëkatarët. Ky është qëllimi i martesës.
Martesa është një marrëdhënie miqësie dhe dashurie që na mëson për dashurinë e pakushtëzuar dhe të pamerituar të Perëndisë në Jezu Krishtin. Dashuria nuk është thjesht një ndjenjë. Ajo është një veprim vetëflijues që dëshiron të mirën e tjetrit, edhe kur ai nuk e meriton. Kjo është dashuria e Perëndisë për ne në Jezu Krishtin (Gjoni 3:16). Perëndia dha Birin e Tij të vetëm për të na shpëtuar nga mëkatet tona. Kjo dashuri e mrekullueshme e Perëndisë nuk bazohet mbi asnjë gjë që ne bëjmë. Kështu duhet të duket dashuria në martesë. Ajo duhet të pasqyrojë dashurinë e Perëndisë për ne. Kjo dashuri duhet të jetë e përqendruar së pari te Perëndia dhe pastaj te bashkëshorti.
Kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar në takimet e njohjes. Unë kam frikë se shumë çifte shprehin ndjenjat e tyre duke i thënë njëri-tjetrit: “Të dua,” pa e kuptuar se çfarë do të thotë vërtet kjo. A ka ndonjë gjë që ndihet më mirë sesa të dëgjosh: “Të dua”? Por a i kuptojmë këto dy fjalë? Ne duhet të sigurohemi që i kuptojmë ato përpara se t’i themi. Takimi i njohjes me synim martesën është një kohë për të mësuar se çfarë është dashuria, dhe nëse do të marrësh apo jo angazhimin për ta dashur këtë person deri në vdekje me dashurinë e Krishtit. Dashuria në martesë është një përkushtim për gjithë jetën. Para se këto fjalë të thuhen në një marrëdhënie takimesh, kjo duhet të kuptohet. Sa çifte i thonë këto fjalë ndaj njëri-tjetrit në mënyrë të paditur dhe më pas ndahen dhe nuk martohen? Kjo tregon se ata nuk e kanë kuptuar plotësisht peshën e këtyre fjalëve. Unë do t’i këshilloja çiftet në fazën e takimeve që të mos i thonë këto dy fjalë intime derisa të jenë gati për të bërë një përkushtim ndaj njëri-tjetrit.
Një mënyrë tjetër se si një çift përqendrohet në lavdinë e Perëndisë është duke u takuar brenda kufijve të pastërtisë seksuale. Fjala e Perëndisë e bën të qartë se marrëdhënia seksuale është e mirë dhe e drejtë vetëm brenda martesës. Perëndia ju thotë në takimet e njohjes: “Arratisjuni kurvërisë dhe jini të pastër!” (1 Korintasve 6:18). Pjesë e takimeve të njohjes në përgatitje për martesë përfshin të mos praktikoni intimitet fizik. Perëndia na thërret në pastërti. Një çift që e do Perëndinë dhe po mëson ta dojë njëri-tjetrin do të vendosë kufij të qartë dhe të prerë fizikë në marrëdhënie. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për djemtë e rinj, pasi statistikat tregojnë se djemtë e rinj mendojnë për seksin cdo dhjetë sekonda! Aq më shumë arsye për të vendosur kufij.
Unë do t’i inkurajoja çiftet që të mendojnë për këtë dhe të flasin për këtë nën drejtimin dhe llogaridhënien e prindërve. Ja disa kufij të sugjeruar: Vendosni kufirin që të mos jeni vetëm në vende ku mëkati seksual do të ishte një tundim. Për shembull, vetëm në një dhomë të mbyllur. Vendosni kufirin që të mos ketë puthje sensuale apo përkëdhelje, sepse këto çojnë drejt marrëdhënieve seksuale. Takimet e njohjes nuk duhet të jetë kohë për të zgjuar dëshira sensuale, por për të mësuar të dashuroni me synimin për të kuptuar nëse ky është personi që duhet ta doni për gjithë jetën.
Bibla ka shumë për të thënë për takimet e njohjes. Takohuni për lavdinë e Perëndisë duke e pasur syrin tek martesa!

