Nga Bill Whyte
A ka të drejtë Perëndia të zbulojë se si duhet të adhurohet? Apo i është dhënë njeriut autoriteti për të ofruar lavdërime të pafrymëzuara sipas shpikjeve dhe risive të tij (të korruptuara)? Kjo është pyetja jetike të cilës duhet t’i jepet një përgjigje e kënaqshme përpara se Perëndia të mund të adhurohet siç duhet.
Në të gjithë Shkrimet, popullit të Perëndisë i jepen vazhdimisht paralajmërime që nuk duhet të ndërhyjë në Fjalën e Perëndisë në asnjë kohë dhe në asnjë mënyrë.
“Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis.” (Ligji i Ripërtërirë 4:2).
“Do të kujdeseni të zbatoni në praktikë tërë gjërat që ju urdhëroj; nuk do t’u shtoni as do t’u hiqni asgjë.” (Ligji i Ripërtërirë 12:32).
“Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.” (Fjalët e Urta 30:6).
“Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.” (Zbulesa 22:18-19).
Është e qartë nga këto vargje se Bibla është e përsosur dhe e plotë për të gjitha çështjet e besimit dhe praktikës. Si rezultat, asaj nuk duhet t’i shtohet asgjë. Ky parim gjithashtu zbatohet në lidhje me këndimin e lavdërimit të Perëndisë. Perëndia, në përsosmërinë e Tij të pafundme, nuk e ka lënë njeriun në errësirë ose të papërgatitur për mënyrën se si Ai duhet të adhurohet, pasi, Ai në mënyrë të hirshme, na ka dhënë një libër lavdërimi që është pjesë e pandashme e Fjalës së Tij: Libri i Psalmeve.
“Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit: “Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.” (2 Samuelit 23:1-2).
“Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.” (1 Kronikave 16:9).
“Këndojini Atij, këndojini psalme Atij, flisni për tërë veprat e tij të mrekullueshme.” (Psalmi 105:2 KJV).
“Duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,” (Efesianëve 5:19).
“Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!” (Kolosianëve 3:16).
“A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!” (Jakobi 5:13).
Në Dhiatën e Re, vetë Zoti Krisht ka dhënë urdhër dhe drejtim për sa i përket adhurimit hyjnor:
“Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.” (Gjoni 4:24).
Me fjalën “frymë,” Krishti i referohet asaj që është e frymëzuar nga Fryma e Perëndisë, pra, Bibla, sepse “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia” (2 Timoteut 3:16). Prandaj përmbajtja e lavdërimit të kënduar është Libri i Psalmeve ose Psalteri.
Referenca për fjalën “të vërtetën” do të thotë që çdo lavdërim i ofruar Perëndisë në adhurim nuk duhet të përmbajë asnjë të metë ose gabime, por duhet të jetë absolutisht i pastër. Natyrisht që kjo, nuk është e vërtetë për himnet dhe këngët e krijimeve njerëzore, sepse fjala e njeriut në ode të pafrymëzuara nuk është “e vërtetë.” Për më tepër, ato shpesh përmbajnë gabime doktrinore dhe madje edhe herezi të dënueshme. Sa ndryshe është me Davidin, kryesorin ndër shkruesit njerëzorë të Psalmeve. Si “i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit: “Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.” (2 Samuelit 23:1-2). Cili shkrues i pafrymëzuar i “himneve” do të guxonte të thoshte këtë për krijimet e tij? E prapësëprapë, njerëz të tillë dëshirojnë që ne të këndojmë poezitë e tyre në adhurimin publik të të Plotfuqishmit në vend të Psalmeve të frymëzuara nga Perëndia!
Meqenëse Fjalës së Perëndisë (dhe, rrjedhimisht, Psalteri si libri i lavdërimit të kënduar Perëndisë) nuk mund t’i shtohet apo hiqet prej saj, ajo duhet të jetë autoriteti ynë absolut dhe përfundimtar në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me adhurimin e Perëndisë. Sa neveritëse duhet të jetë numri gjithnjë në rritje i librave të pafrymëzuar të këngëve për Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë, që kërkon asgjë më pak se bindje dhe pajtueshmëri të vërtetë ndaj Fjalës së Tij!
“Këndojini Atij, këndojini psalme Atij, flisni për tërë veprat e tij të mrekullueshme.” (Psalmi 105:2 KJV).