Nga Ron Hanko
Profetët e Dhiatës së Vjetër i bënin thirrje Judës për rreziqet e mëdha me të cilat po përballeshin: “Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qënë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si priftin tim; duke qënë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu.” (Osea 4:6). Profeti Amos paralajmëroi, “Ja do të vijnë ditët”, thotë Zoti, Zoti, “gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.” (Amosi 8:11).
Shqetësimi ynë i madh është që situata në kohën tonë dhe në këtë tokë është shumë e ngjashme me kohën e profetëve të vjetër. Gazeta “The Times” deklaroi në botimin e saj në 30 Janar 1993, “Cila është situata e vërtetë [në Angli]? Besimtarët adhurues të krishterë janë një grusht i vogël në kombin tonë. Nëntëdhjetë përqind ose më shumë e qytetarëve tanë nuk kanë njohuri për Krishtërimin.” Ky është një koment i trishtueshëm. Nga ky “grusht i vogël” ka dallime të mëdha besimi. Prandaj, ka një nevojë të madhe që Besimi i Reformuar të shpallet.
Si është gjendja aktualisht? Ne po jetojmë në “ditët e fundit” (Veprat 2:17). Gjatë kësaj periudhe kohe, Fjala e Zotit tonë është duke u përmbushur në atë që shumë do të bien (1 Tim. 4:1) dhe dashuria e shumëkujt do të “ftohet” (Mateu 24:12). Brenda vetë botës, ka një materializëm të madh që ka helmuar shoqërinë. Ka një mësymje të çmendur për më shumë e më shumë argëtim, shpesh herë të llojit më të neveritshëm. Përqeshësit vazhdojnë të tallen, duke pyetur, “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit” (2 Pjetri 3:4).
Gjendja në kishat është pothuajse kaq keq. Apostazia mbizotëron. Ka një largim masiv nga “shtigjet e vjetra” (Jerermia 6:16). Gjithashtu ka “ujqër të veshur si dele” (Mateu 7:15). Profecia e Shkrimit po përmbushet: “Dhe vetë midis jush do të ngrihen burra që do të flasin gjëra të çoroditura, që të tërheqin pas vetes dishepujt” (Veprat 20:30). Ka përsëri një presion në rritje për bashkimin e të gjitha kishave dhe denominacioneve. Doktrina konsiderohet e parëndësishme. Teologji “të reja” ngrihen. Delet, duket sikur janë duke u ngrënë nga ujqërit grabitqarë. Atëhere, siguria jonë duhet të jetë vetëm në Fjalën e Krishtit, “Askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:28).
Në këto kohë të vështira, Fjala e Krishtit vjen me zë të lartë dhe në mënyrë të qartë, “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas …” (Zbulesa 3:20). Ashtu siç Ai qëndroi përpara derës së kishës të Laodicesë, duke u bërë thirrje besnikëve që ishin në kishën apostate, po kështu Ai thërret akoma sot. Njerëzit e Perëndisë kanë uri për Fjalën. Shumë nuk janë duke u ushqyer. Ata po marrin “gurë në vend të bukës.” Krishti u bën thirrje për të dalë dhe për të ngrënë bashkë me Të rreth Fjalës së Tij e cila qëndron përgjithmonë.
Prandaj, ne të Kishës së Reformuar Protestante të Besëlidhjes (CPRC), kërkojmë të krijojmë një lidhje midis atyre që e duan besimin e Reformuar dhe akoma dëshirojnë “shtigjet e vjetra.” Ne dëshirojmë të vendosim, ku kjo është e mundur, kisha që me guxim do të shpallin të vërtetat e vjetra.
Çfarë është besimi i “Reformuar”? Me “besim,” ne i referohemi trupit të së vërtetave që është vendosur në vetë Shkrimin. Ne flasim për besimin e “Reformuar” jo sikur të ishte ndonjë lloj zëvendësimi për besimin e Shkrimit. Ka vetëm një trup të vërtetash që është paraqitur në Shkrime.
Me fjalën “Reformuar,” ne e dallojmë veten nga të tjerët të cilët në një mënyrë apo në një tjetër devijojnë nga “besimi” të vendosur në Fjalën e Perëndisë. Ne mbajmë të vërtetat e Shkrimit siç ato janë përmbledhur sistematikisht në Standartet e Uestministerit dhe Tre Format e Unitetit, që janë, Katekizmi i Hajdelbergut, Rrëfimi Belg i Besimit, dhe Kanunet e Dortit.
Atëhere, çfarë është besimi i Reformuar (pra, sipas Shkrimit)?
Sovraniteti i Perëndisë
Para së gjithash, besimi i Reformuar thekson Sovranitetin e Perëndisë. A e dallon kjo nga të tjerët që gjithashtu mësojnë sovranitetin e Perëndisë? Po. Ne jemi të bindur që besimi i Reformuar mban të vërtetën për sovranitetin e Perëndisë në mënyrë konsistente. Të gjithë të krishterët bien dakord që Perëndia është sovran. Ai sundon mbi gjithçka. Megjithatë, në mënyrë të përsëritur ndeshesh me doktrina dhe praktika që janë në kundërshtim me të vërtetën e Sovranitetit të Perëndisë. Për të kënaqur arsyetimin njerëzor, ka persona që këmbëngulin për “vullnetin e lirë” të të gjithë njerëzve për të pranuar ose refuzuar Krishtin si ata duan. Ka persona që paraqesin një Krisht që troket në derën e zemrës së mëkatarit, duke u lutur për ta pranuar (duke keqcituar Zbulesën 3:20). Ka persona që mësojnë që numri përfundimtar i të zgjedhurve të Perëndisë është caktuar jo nga Perëndia në përjetësi, por nga veprimet e njeriut. Ka persona që mësojnë që Perëndia i do të gjithë njerëzit, por prapësëprapë në fund disa prej tyre Ai i hedh në Ferr. Të tjerë mësojnë që për shkak të dashurisë së Perëndisë për të gjithë, Ai nuk hedh asnjë në Ferr.
Besimi i Reformuar në mënyrë konsistente mban sovranitetin e Perëndisë. Ai ka krijuar në gjashtë ditë të mirëfillta (Zanafilla 1), dhe vazhdon të mbajë të gjithë universin e Tij. Ai drejton dhe kontrollon gjithashtu të gjitha krijesat morale dhe racionale. Ai ka caktuar që nga përjetësia për të shpëtuar disa (të zgjedhurit) përmes gjakut të Qengjit (Efesianët 1:4) dhe caktoi që të tjerët do të hidheshin në Ferr sipas rrugës së mëkateve të tyre (Romakët 9:22). Perëndia kurrë nuk braktis ndonjë aspekt të sundimit të tij. Të gjitha doktrinat e kishës së Krishtit duhet të jenë në përputhje me të. Kisha nuk duhet të “përshtasë” sovranitetin e Perëndisë për të akomoduar idenë e njeriut për atë që është e drejtë. Rrëfimi i njeriut duhet të jetë në përputhje me të vërtetën e madhe të sovranitetit të Perëndisë. (Në këtë lidhje, ne rekomandojmë librin e Arthur W. Pink, Sovraniteti i Perëndisë).
Shkrimet e Pagabueshme
Njohuria për Perëndinë sovran nuk rrjedh përmes kërkimit të njeriut, por nga zbulesa e vetë Perëndisë. Besimi i Reformuar mban pagabueshmërinë dhe frymëzimin e Shkrimit të Shenjtë. Ai është Fjala e “frymëzuar nga Perëndia” (2 Timoteu 3:16) e folur prej Krishtit (Gjoni 1) në mënyrë që ne të njohim dhe të kuptojmë atë që Perëndia dëshiron të zbulojë për Veten e Tij. Pa këtë Fjalë ne nuk do të kishim njohuri. Me të, ne kemi dëshmi të besueshme dhe të sigurt në lidhje me Perëndinë dhe Birin e Tij Jezu Krisht, dhe veprën e Krishtit në shpengimin dhe shpëtimin e kishës së Tij.
Besëlidhja e Hirit
Besimi i Reformuar mban të vërtetën e madhe të “besëlidhjes së hirit.” Ne deklarojmë shkurtimisht bindjet tona në lidhje me mësimin e Shkrimit në këtë aspekt.
Besëlidhja e hirit duhet të kuptohet nën dritën e Trinitetit. Perëndia Triun (Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë) përjetësisht ka bashkësi të përsosur brenda Vetes. Është një bashkësi që është e vështirë t’i jepet një përshkrim njerëzor dhe shkon përtej të kuptuarit njerëzor. Megjithatë, kjo e vërtetë e bashkësisë së besëlidhjes me Veten e Tij është baza e besëlidhjes së hirit. Perëndia Triun nga përjetësia vendosi të zbulojë jashtë Vetes së Tij lavdinë e bashkësisë siç ekziston brenda Vetes. Ai vendosi të zbulojë në mënyrën më të lartë të mundshme një bashkësi me një popull të zgjedhur nga përjetësia në Krishtin.
Një kuptim i duhur i kësaj vepre të Perëndisë lidh bashkë të vërtetat e ndryshme të mrekullueshme të Shkrimit. Fjala e Perëndisë tregon që kjo besëlidhje është e “njëanëshme,” që do të thotë, e vendosur jo midis dy palëve, por drejtpërdrejt nga vetë Perëndia (Zanafilla 15:17-18). Është një besëlidhje e pathyeshme në faktin që kur Perëndia e vendos atë me popullin e Tij, ajo vazhdon për të gjithë përjetësinë (Zanafilla 17:7). Kjo besëlidhje nuk është e ndonjë lloj marrëveshje ku Perëndia e çon popullin e Tij në qiell, por është fundi apo qëllimi që Perëndia ka në mendje (Zanafilla 17:7). Është besëlidhja që Perëndia është i kënaqur ta vendosë në linjën e brezave (Zanafilla 17:7). Me të vërtetë është thënë, “Ai e mbledh farën e Tij nga fara jonë.” Jo të gjithë ata që lindin nga prindër besimtarë janë pjesë e besëlidhjes (Romakët 9:13). Por fara shpirtërore shpëtohet (Romakët 9:7). Perëndia sjell të tjerët nga paanizmi, por pastaj përfshin gjithashtu farën e tyre shpirtërore në trupin e Krishtit (Veprat 16:27-33).
Pesë Pikat e Kalvinizmit
Besimi i Reformuar shpesh është shoqëruar me ato që janë quajtur “Pesë Pikat e Kalvinizmit.” Këto “Pesë Pika” janë një pjesë e besimit të Reformuar. Megjithatë, këto japin një ndryshim të dallueshëm midis tij dhe Arminianizmit që ka infektuar shumicën e kishave sot.
Pesë pikat mbahen mend nga shumë nëpërmjet përdorimit të akronimit: TULIP. Shkronja “T” është për Mëkatshmërinë apo Shthurjen e Plotë. Ky është mësimi i Shkrimit që njeriu është i lindur i vdekur në mëkat, i paaftë dhe jo i gatshëm për ndonjë gjë të mirë (Romakët 3:10). Të gjithë janë fajtorë për mëkatin e parë të Adamit (Romakët 5:12). Të gjithë, nga natyra, vetëm shkelin ligjin e Perëndisë (Romakët 3:23). Nga kjo dalin disa përfundime. Dikush nuk mund ti “ofrojë” një mëkatari të vdekur shpëtimin në Krishtin. As nuk mund të “ftohet” për të pranuar Krishtin. Gjendja e tij është e tillë saqë aktiviteti shpirtëror është i pamundur nga ana e tij.
Shkronja “U” përfaqëson Zgjedhjen e Pakushtëzuar. Përpara themelimit të botës, Perëndia ka zgjedhur për Veten një popull në Krishtin (Efesianët 1:4). Bashkë me këtë fakt, Perëndia gjithashtu ka caktuar për t’i hedhur të tjerët në Ferr në rrugën e mëkateve të tyre (Romakët 9:21-22). Kjo zgjedhje e përjetshme “pa kushte” nuk nënkupton që Perëndia ka zgjedhur sepse Ai parapa në të ardhmen që personi do të besonte. Personi beson sepse Perëndia e ka zgjedhur (Gjoni 10:26; Romakët 8:29-30).
Shkronja “L” është për Shlyerjen e Kufizuar. Shlyerja është pagesa e bërë nga Krishti për mëkatet e popullit të Tij (Mateu 1:21). Që është “e kufizuar” nuk do të thotë që shlyerjes së Krishtit i mungon ndonjë gjë. Ajo paraqet faktin e Shkrimit që shlyerja është e kufizuar te të zgjedhurit e Perëndisë (Gjoni 6:44).
Shkronja “I” flet për Hirin e Parezistueshëm. Ky theksim që kur Perëndia tërheq njerëzit e Tij te Vetja, ata vijnë dhe do të vijnë (Gjoni 6:37). Ata nuk vijnë pa dashjen e tyre, por me dëshirë. Gjithësesi, Hiri i Tij është i një fuqie të tillë saqë vullneti i të zgjedhurve të Tij bëhet i nënshtruar ndaj vullnetit të Tij.
Shkronja “P” është për Qëndrueshmërinë e Shenjtorëve. Kjo do të thotë që një person që është i zgjedhur, i thirrur, dhe i tërhequr te Jezu Krishti, do të qëndrojë në besim dhe do të sillet në lavdi. Këta shenjtorë mund të mëkatojnë me hidhërim dhe të bien për një kohë në mëkate të caktuara. Por Perëndia i sjell përsëri të Vetja. Ata për të cilët Krishti vdiq do të shpëtohen (Filipianët 1:6; Romakët 8:29-30).
Doktrinat e Hirit
Besimi i Reformuar në mënyrë konsistente mban “doktrinat e hirit.” E themi përsëri, këto janë doktrinat e Shkrimit. Terminologjia shërben për të theksuar faktin e lavdishëm që shpëtimi është plotësisht vepra e Perëndisë sonë, jo vepra e njeriut ose e njeriut që bashkëpunon me Perëndinë. Ne jemi drejtësuar me anë të hirit përmes besimit (Romakët 3:24). Mëkatet e atyre që janë drejtësuar janë paguar plotësisht nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezusit (Romakët 5:1). Dhe ata për të cilët Krishti vdiq ishin zgjedhur prej përjetësisë nga Perëndia. I gjithë shpëtimi është plotësisht vepra e Perëndisë sovran. Atëhere nuk ka vend për mburrje (Efesianët 2:9).
Pagëzimi i Foshnjave
Besimi i Reformuar ndjek praktikën e pagëzimit të foshnjave. Kjo vazhdimisht ka qënë praktika e besimtarëtve të Reformuar që nga koha e Zhan Kalvin. Ky pagëzim është bazuar mbi të vërtetën e besëlidhjes së Perëndisë, të vendosur në linjën e brezave të besimtarëve. Jo të gjithë ata që janë pagëzuar janë të shpëtuar (Esau i cili mori shenjën e rrethprerjes nuk ishte i shpëtuar [Romakët 9:13]). Por për shkak se Perëndia vendos besëlidhjen e Tij në linjën e brezave (Zanafilla 17:7; Veprat 2:39), edhe këta gjithashtu marrin shenjën e asaj besëlidhjeje dhe të drejtësisë e cila është me anë të besimit. Kjo është gjithashtu konsistente me praktikat e apostujve që pagëzonin besimtarët dhe shtëpitë e tyre (Veprat 16:15; 1 Kor. 1:16; Veprat 11:14; Veprat 16:31).
Rrëfimet
Besimi i Reformuar mban rrëfimet si një shprehje të asaj që rrëfen dhe që Shkrimet mësojnë. Rrëfimet nuk duhet të shihen si të pagabueshme. Megjithatë, ato identifikojnë dhe dallojnë atë që është e Reformuar nga ajo që nuk është e tillë. Të Reformuarit kanë shkruar, shpesh pas shumë vështirësish dhe përndjekjesh të tmerrshme, të vërtetat që Shkrimi mëson. Rrëfimet tregojnë se si të Reformuarit ndryshojnë nga të tjerët të cilët po ashtu pretendojnë se mbështeten te Shkrimi. Me anë të rrëfimeve, fëmijët e besimtarëve mësohen në doktrinat e Shkrimit. Me anë të rrëfimeve kishat i tregojnë të gjithëve në botë çfarë ato besojnë dhe mësojnë.
Adhurimi
Besimi i Reformuar mban domosdoshmërinë e adhurimit të rregullt çdo Shabat. Ai nuk zvogëlon ose injoron adhurimin ndaj Perëndisë Jehova në shërbesat e rregullta. Përkundrazi, gëzimi i të Reformuarit është të përmbushë mandatin e urdhërimit të katërt dhe mësimin e Shkrimit duke u mbledhur çdo Shabat për të adhuruar emrin e Perëndisë. Ata mblidhen jo për tu argëtuar, por për të lavdëruar Emrin i cili është përmbi çdo emër.
Besimi i Reformuar mban gjithashtu mësimin e Shkrimit që predikimi i Fjalës duhet të shpallet përmes burrave të thirrur nga Perëndia për të shërbyer në këtë pozicion të rëndësishëm (Romakët 10:15). Predikimi duhet të jetë elementi qëndror i adhurimit. Në Shkrim është quajtur “marrëzia e predikimit” (1 Korintasve 1:21), por në të njëjtën kohë është mënyra e caktuar nga Perëndia për shpëtimin e mëkatarëve dhe forcimin e shenjtorëve (Romakët 10:14).
Jeta e Perëndishme
Besimi i Reformuar nuk i bën njerëzit të jenë të pakujdesshsëm osë profanë. Ky besim nuk mban dhe nuk mëson që dikush “të mëkatojë që hiri të shtohet” (Romakët 6:1). Për shkak se personi është zgjedhur prej përjetësisë nga Perëndia, dhe për shkak se Krishti vdiq për të, duhet të ketë fryte të perëndishme. Mirënjohja e vërtetë duhet të shihet, përndryshe nuk ka asnjë dëshmi të zgjedhjes së përjetshme. Perëndia ka zgjedhur popullin e Tij për vepra të mira (Efesianët 2:10) dhe në mënyrë që ne të jemi të shenjtë dhe patëmeta përpara Tij (Efesianët 1:4). Nuk duhet të ketë asnjë lidhje midis dritës dhe errësirës, midis të krishterit dhe botës (2 Korintasve 6:14). “Antiteza” duhet të jetë e dukshme – dallimi midis të mirës dhe të keqes duhet të shihet në jetën e krishterë.
Misionet
Besimi i Reformuar beson fort në thirrjen e kishës që të shkojë në të gjithë botën për të predikuar ungjillin. Ai nuk ka asgjë të bëjë me “Hiper-Kalvinizmin” i cili e neglizhon këtë detyrë të madhe të kishës. Vetë Jezusi urdhëroi dishepujt, dhe pastaj kishën, që të shkojnë në të gjithë botën dhe të predikojnë ungjillin (Mateu 28:19). Ndonëse është e vërtetë që Perëndia do të shpëtojë popullin e Tij të cilin Ai e ka zgjedhur që nga përjetësia, është gjithashtu e vërtetë që Ai ka vendosur që kjo duhet të bëhet në mënyrën e predikimit besnik të ungjillit brenda kishës dhe në fushën e misionit. Vetëm Perëndia e di kush janë të Tijët. Kisha shkon përpara nën mandatin e Krishtit në mënyrë që ata që janë zgjedhur nga Perëndia të sillen te kryqi i Jezu Krishtit.
Rikthimi i Krishtit
Besimi i Reformuar sheh përpara me besim te rikthimi i shpejtë i Zotit tonë Jezu Krisht mbi retë e qiellit. Te Mateu 24 Krishti flet për shenja të cilat paraprijnë kthimin e Tij. Ne i shohim këto shenja të përmbushen sot. Ne nuk e dimë ditën ose orën e kthimit të Tij, por ne e dimë që është afër. Kjo duhet ta nxisë kishën me urgjencë që të përmbushë detyrën e saj besnikërisht deri në fund. Ajo duhet të predikojë Fjalën; ajo duhet të ungjillizojë; ajo duhet ti mësojë fëmijët në mënyrë që ata të përgatiten për kohët e këqija që erdhën për kishën. Dhe lutja e kishës është për ardhjen e Krishtit: “Po, eja, Zoti Jezus.” (Zbulesa 22:20).
Këto gjëra nuk janë një trajtim i plotë i besimit të “Reformuar”. Gjithësesi, duhet të na japë një tablo të shkurtër të besimit që është mbajtur kaq i çmuar përmes shekujve. Mbi bazat e të vërtetave të lavdishme për të cilat shumë veta kanë dhënë jetën e tyre, ne gjithashtu do dëshironim shoqëri me ata që i duan këto të vërteta për të inkurajuar dhe forcuar njëri-tjetrin në besimin e shenjtë.
Original: https://cprc.co.uk/pamphlets2/whatisreformedfaith/