Menu Close

Gratë në Ofiqet e Kishës: A është Biblike? / Women in Church Office: Is It Biblical?

     

Nga Ronald Hanko

Shumë nga denominacionet e sotme po pranojnë gratë në ofiqet e kishës si predikuese, në pleqësi dhe si dhjake. Ata pretendojnë që kjo është mënyra e vetme për të bërë të njohur dhuratat që Perëndia u jep grave, dhe se vetëm në këtë mënyrë kisha zbaton si duhet mësimin biblik që të gjithë janë të barabartë në Krishtin (Galatasve 3:28).

A janë këto pretendime të sakta? A u mohon kisha të drejtën grave për të ushtruar dhuratat e dhëna nga Perëndia nëse ajo u mohon të drejtën për të shërbyer në ofiqet e kishës? A duhet të shugurohen gratë si predikuese, në pleqësi dhe si dhjake? Çfarë thotë Bibla?

Mësimi i Biblës mbi këtë çështje është aq i qartë sa mund të jetë. Gratë nuk mund të shërbejnë në ofiqet e kishës. I Timoteu 2:12 thotë: “Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.” I Korintasve 14:34 mëson të njëjtën gjë: “Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.”

Sigurisht që këto vargje nuk do të thonë që një grua nuk mund të thotë asgjë në kishë, por se ato nuk mund të flasin në pozita autoriteti, dmth., të mësojnë ose të drejtojnë në adhurim. Ato nuk mund të flasin në formën e lutjeve, profecive, ndërtimit, nxitjes ose mësimit, siç tregon pjesa tjetër e I Korintasve 14.

E gjithë kjo konfirmohet te I Timoteu 3 dhe Titi 1, pasazhe të cilat flasin për pleq (peshkopë) dhe dhjakë si burra. Prandaj, shugurimi i grave, kundërshton mësimin e qartë të Shkrimit.

Mënyra e vetme për të anashkaluar atë që mëson Shkrimi mbi këtë çështje është të mohosh që Shkrimi është Fjala e frymëzuar dhe e pagabueshme e Perëndisë. Kjo është arsyeja pse kishat që shugurojnë gra thonë që pasazhet e cituara janë vetëm fjalët e Palit që reflektojnë kulturën në të cilën ai jetoi ose një pikëpamje të ulët personale të tij për gratë. Nëse Shkrimi është Fjala e Perëndisë, atëherë këto vargje nuk janë mendimi i Palit, por mendimi dhe vullneti i Perëndisë! Perëndia thotë: “Gratë tuaja të heshtin në kishë!”

Por çfarë mund të themi për dhuratat që Perëndia u jep disa grave? A nuk është e vërtetë që disa gra janë më të kualifikuara se shumë burra për të bërë punën e ofiqeve të ndryshme të kishës?

Duhet të kuptojmë se çështja nuk është nëse Perëndia u jep dhurata grave. Ai e bën këtë. Çështja nuk është nëse gratë duhet të përdorin dhuratat e dhëna nga Perëndia. Ato duhet t’i përdorin. Çështja e vetme është se ku ato duhet t’i përdorin ato dhurata. Fryma e Shenjtë që u dha atyre ato dhurata, ua ndalon atyre që t’i përdorin dhuratat e tyre në ofiqet e kishës.

Por a do të thotë kjo se gratë nuk kanë asnjë rol në kishë? Aspak! Gratë kanë një vend dhe thirrje shumë të rëndësishme në kishë. Bibla flet për këtë te I Timoteu 2:15, 5:9-14, dhe Titi 2:3-5. Ato kanë një rol të dhënë nga Perëndia në kishë që asnjë burrë nuk mund ta përmbushë.

Atëhere, çfarë duhet të mendojmë për një kishë që lejon shugurimin e grave? Një kishë e tillë e ka mohuar autoritetin e Fjalës së Perëndisë dhe është në mosbindje ndaj Fjalës. Ajo duhet të pendohet ose përndryshe Krishti do të vijë dhe do ta heqë shandanin e saj nga vendi i tij (Zbulesa 2:5) që ajo të mos shkëlqejë më me dritën e lavdisë së Perëndisë si një dëshmi në botë. Atëherë ata që janë pjesë e saj do të jenë në errësirë dhe jo në dritë.

Original: https://cprc.co.uk/pamphlets2/womenchurchofficebiblical/

Për më shumë në shqip, kliko këtu.

Show Buttons
Hide Buttons