Menu Close

Kredoja e Athanasit

Kushdo që dëshiron të shpëtohet, duhet mbi të gjitha që t’i përmbahet besimit katolik (universal). Kushdo që nuk i përmbahet tërësisht dhe në mënyrë të panjollosur besimit do të humbasë me siguri përjetësisht. Ky është besimi katolik:

Që adhurojmë një Perëndi të vetëm në Trini dhe trininë në unitet (njëshmëri), pa u përzier aspak personat e pa e ndarë aspak esencën e secilit prej tyre. Sepse personi i Atit është një person i veçantë, ndërsa ai i Birit dhe i Frymës së Shenjtë një tjetër. Kurse hyjnia e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë është një e vetme, lavdia e tyre e barabartë dhe madhështia e tyre e bashkëpërjetshme.

Cilësitë që Ati zotëron, i zotëron edhe Biri, edhe Fryma e Shenjtë. Ati është i pakrijuar, Biri i pakrijuar, Fryma e Shenjtë i pakrijuar. Ati është i pamatshëm, Biri i pamatshëm, Fryma e Shenjtë i pamatshëm. Ati është i përjetshëm, Biri i përjetshëm, Fryma e Shenjtë i përjetshëm. Dhe megjithatë nuk kemi tre qenie të përjetshme; por ka vetëm një qenie të përjetshme. Po ashtu nuk kemi tre qenie të pakrijuara ose të pamatshme; Por kemi një qenie të krijuar dhe të pamatshme.

Në të njëjtën mënyrë, Ati është i gjithëpushtetshëm, Biri i gjithëpushtetshëm, Fryma e Shenjtë i gjithëpushtetshëm. Megjithatë nuk kemi tre qenie të gjithëpushtetshme; por kemi një qenie të vetme të gjithëpushtetshme.

Prandaj Ati është Perëndi, Biri është Perëndi, Fryma e Shenjtë është Perëndi. E megjithatë nuk kemi tre perëndi; por vetëm një Perëndi. Pra Ati është Zot, Biri është Zot, e Fryma e Shenjtë është Zot. Por megjithatë nuk kemi tre zotër, por vetëm një Zot.

Ashtu si e vërteta e Krishterë na shtrëngon që ta rrëfejmë çdo person individualisht, si Perëndi dhe Zot, po ashtu edhe besimi katolik na ndalon që të themi se kemi tre perëndi ose zotër.

Ati as nuk është bërë e as nuk është krijuar e as nuk ka lindur prej dikujt. As Biri nuk është bërë apo krijuar por ka lindur vetëm prej Atit, dhe as Fryma e Shenjtë nuk është bërë, krijuar e as nuk ka lindur, por buron prej Atit dhe prej Birit. Si rrjedhim, kemi vetëm një Atë e jo tre etër; kemi një Bir të vetëm e jo tre bij; një Frymë të Shenjtë e jo tre frymëra të Shenjta.

Nuk ka asnjë në këtë Trini që të jetë para ose pas të tjerëve, askush që të jetë më i madh apo më i vogël; në tërësinë e tyre secili prej tre personave janë të bashkëpërjetshme dhe të bashkëbarabarta me njëri-tjetrin.

Prandaj në gjithçka, siç thamë edhe më herët, ne duhet të adhurojmë trininë e tyre në unitetin e tyre, dhe unitetin e tyre në trininë e tyre.

Atëherë çdo njeri që dëshiron të shpëtohet, duhet të mendojë në këtë mënyrë mbi Trininë. Por për shpëtimin e përjetshëm, është e nevojshme që dikush të besojë besnikërisht në mishërimin e Zotit tonë Jezu Krisht. Ja cili është besimi i vërtetë:

Që të besojmë dhe të rrëfejmë se Zoti ynë Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, është njëlloj si Perëndi ashtu edhe njeri. Ai është Perëndi, nga esenca e Atit, i vetëmlindur që para se të ekzistonte koha; dhe është njeri nga esenca e nënës së tij, lindur në kohë; plotësisht Perëndi, plotësisht njerëzor, me një shpirt të arsyeshëm dhe trup njerëzor; i barabartë me Atin për sa i përket natyrës hyjnore, më inferior nga Ati për sa i përket natyrës njerëzore. Megjithëse ai është si Perëndi ashtu edhe njeri, Krishti është një person i vetëm e jo dy Një i vetëm jo sepse natyra e tij hyjnore u kthye në mish, Por sepse  Perëndia mori natyrën njerëzore, Ai është një i vetëm, sigurisht jo prej përzierjes së esencës së tij, por prej unitetit të personit të tij. Sepse ashtu si njeriu përbëhet si nga shpirti i arsyeshëm ashtu edhe nga mishi, po ashtu edhe Krishti është edhe Perëndi edhe njeri. Ai pësoi për shpëtimin tonë; zbriti në ferr; u ngjall prej së vdekuri; u ngjit në qiell; është i ulur në të djathtën e Atit; prej nga do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. Me ardhjen e tij, të gjithë njerëzit do të ngjallen trupërisht dhe do të japin llogari për veprat e tyre. Ata që kanë bërë mirë do të hyjnë në jetën e pasosur, ndërsa ata që kanë bërë keq do të hyjnë në zjarrin e pasosur.

Ja ky është pra besimi katolik, pa besuar vendosmërisht dhe besnikërisht në të nuk mund të shpëtohesh.

Për më shumë në shqip, kliko këtu.

Show Buttons
Hide Buttons